Stollen (Bukë gjermane Krishtlindjesh)

Përbërësit:

  • 500 gr miell
  • 240 ml qumësht
  • 100 gr sheqer
  • 170 gr gjalp
  • 1 vezë + 2 të kuq veze
  • 10 gr maja buke
  • 250 gr rrush i thatë
  • 80 ml rum (ose lëng portokalli për një version joalkoolik)
  • 120 gr lëkura agrumesh të karamelizuara (recetën e gjeni këtu)
  • 70 gr bajame të thërrmuara
  • Lëkura e 1 limoni
  • ¾ lugë çaji kardamom pluhur
  • ¾ lugë çaji kanellë
  • 1 lugë çaji kripë
  • 2 lugë çaji ekstrakt vanilje
Për marzipanin (pasta e bajames) :
  • 150 gr miell bajamesh
  • 125 gr sheqer pluhur
  • 1 e bardhë veze
  • 1 lugë çaji ekstrakt vanilje
  • Për pluhurosjen e bukës:
  • 100 gr gjalp i shkrirë
  • Sheqer pluhur

Përgatitja:

1. Fillimisht përgatisni marzipanin (pastën e bajames). Në një enë mesatare shtoni miellin e bajameve dhe sheqerin pluhur dhe kombinojini mirë me lugë. Në një enë tjetër, rrihni të bardhën e vezës me pirun derisa të kthehet në shkumë.

2. Hapni një gropë në qendër të enës me miellin dhe sheqerin dhe aty shtoni të bardhën e vezës dhe ekstraktin e vaniljes. Mbulojeni të bardhën e vezës me miell nga anët e enës dhe trazojeni lehtë.

3. Filloni ta punoni me duar masën derisa t’ju formohet një brumë i lëmuar. Jepini formën e një topi dhe lëreni mënjanë.

*Marzipanin mund ta përgatisni një ditë para dhe ta ruani në frigorifer të mbuluar me letër plastike kuzhine.

4. Merrni një enë mesatare dhe shtoni rrushin e thatë, lëkurat e karamelizuara të agrumeve dhe rumin. Trazojini me lugë dhe lëreni enën mënjanë.

5. Ngrohni qumështin. Qumështi duhet të jetë pak i vakët, jo i nxehtë. Kalojeni në një enë mesatare dhe shtoni majanë dhe dy lugë buke nga sheqeri. Trazojeni pak dhe mbulojeni me pecetë kuzhine. Lëreni mënjanë për 10 minuta në një ambient të ngrohtë që majaja të aktivizohet dhe të shkumojë në sipërfaqe.

6. Në një enë të thellë shtoni miellin, sheqerin e mbetur, gjalpin (i zbutur, temperaturë dhome), vezën dhe të kuqtë e vezës, lëkurën e limonit, kardamomin, kanellën dhe vaniljen. Shtoni përmbajtjen e enës me maja dhe qumësht. Trazojeni me lugë druri masën dhe më pas punojeni me duar që të formohet brum.

7. Ngjesheni brumin për rreth 10 minuta në një sipërfaqe të spërkatur me miell derisa të bëhet i punueshëm dhe i lëmuar.

8. Jepini brumit formë topi dhe kalojeni në një enë te lyer me pak vaj. Mbulojeni mirë enën dhe lëreni brumin të vijë në një ambient të ngrohtë derisa brumi të jetë dyfishur në madhësi për rreth 1 orë.

9. Pasi brumi të ketë ardhur, shtypeni me dorë për të liruar ajrin dhe shtoni bajamet dhe përmbajtjen e enës me rum (nqs rrushi i thatë dhe lëkurat nuk e kanë pirë komplet rumin, kullojini para se t’i shtoni në brum).

10. Ngjesheni brumin me frutat e thata në një sipërfaqe të spërkatur me miell derisa të jenë kombinuar tërësisht.

11. Ndajeni brumin në dy gjysma të barabarta. Merrni marzipanin dhe ndajeni dhe atë në dy gjysma të barabarta.

12. Merrni njërën nga gjysmat e brumit dhe hapeni në një petë ovale me trashësi 3-4 cm. Merrni gjysmën e marzipanit dhe jepini formë cilindrike me gjatësinë e petës. Vendoseni marzipanin në qendër të petës (si në foto).

13. Palosni brumin nga e majta që të mbuloni marzipanin dhe anën e djathtë paloseni sipër mbi qendër të brumit duke e shtypur pak me gishta. Palosni mirë fundet e petës që të mos hapet gjatë pjekjes.

14. Të njëjtin proces përsëriteni me gjysmën tjetër të brumit. Kalojini dy bukët në një tavë të shtruar me letër pjekjeje, mbulojini me pecetë kuzhine dhe lërini të vijnë për rreth 1 orë në ambient të ngrohtë.

15. Ngrohni furrën në 180oC dhe piqeni për gjysëm ore. Lërini bukët të ftohen për disa minuta pasi t’i keni nxjerrë nga furra dhe më pas shpojini gjithandej në sipërfaqe me një kunj dhëmbësh dhe lyejini me furçë bollshëm me gjalpin e shkrirë. Spërkatini menjëherë me sheqer pluhur  dhe lërini të ftohen plotësisht.

Biskota festive icebox

Përbërësit:

Për biskotat me copëza çokollate:
  • 100 gr miell për ëmbëlsira
  • 20 gr miell bajamesh
  • 60 gr gjalp (temperaturë dhome, i zbutur)
  • 40 gr sheqer pluhur
  • 1 i kuq veze
  • 50 gr copëza çokollate
Për biskotat me boronicë të kuqe & limon:
  • 100 gr miell për ëmbëlsira
  • 20 gr miell bajamesh
  • 60 gr gjalp
  • 40 gr sheqer pluhur
  • 1 i kuq veze
  • 40 gr boronica të kuqe të thata
  • 2 lugë çaji lëkurë limoni
Për biskotat me kakao:
  • 100 gr miell për ëmbëlsira
  • 20 gr miell bajamesh
  • 60 gr gjalp
  • 50 gr sheqer pluhur
  • 1 i kuq veze
  • 10 gr kakao

Përgatitja:

1. Merrni një enë të thellë dhe shtypni gjalpin e zbutur me shpatull ose lugë druri dhe trazojeni derisa të jetë kremoz. Shtoni sheqerin pluhur dhe trazoni sërish derisa masa të homogjenizohet dhe të bëhet kremoze.

2. Shtoni të kuqin e vezës dhe trazojini sërish derisa veza të njëtrajtësohet me masën.

3. Sitni miellin për ëmbëlsira dhe miellin e bajameve dhe shtojini në enë. Përzieni mirë dhe më pas shtoni copëzat e çokollatës. Formoni brumin me duar dhe jepini formën e një pete të vogël katrore sa pëllëmba e dorës.

4. Mbështilleni brumin me letër plastike dhe lëreni në frigorifer për një orë.

5. Përsëritni të njëjtin proces për përgatitjen e brumit të biskotave me boronicë dhe të biskotave me kakao, ku i vetmi ndryshim do të jetë shtimi i boronicave, lëkurës së limonit ose kakaos përkatësisht në vend të copëzave të çokollatës.

6. Pasi brumi për tre llojet e biskotave të kenë kaluar një orë në frigorifer, nxirrini nga frigoriferi. Një nga një, merrini dhe ngjeshini pak dhe jepini formën e një ruli cilindrik me diametër 5 cm.

7. Mbështillini veç e veç të tre cilindrat e brumit me letër plastike dhe lërini për minimumi 8 orë në ngrirje.

8. Pasi të ketë kaluar koha e nevojshme, merrini cilindrat e brumit nga ngrirja, hiqini nga letra plastike dhe pritini feta-feta me një thikë shumë të mprehtë shefi.

9. Piqini biskotat në 170oC për çerek ore. Lërini biskotat të ftohen mirë para se t’i konsumoni.

Kek për çaj

Përbërësit:

  • 360 gr miell
  • 4 vezë të mëdha
  • 150 gr sheqer
  • 220 gr gjalp (temperaturë dhome, i zbutur)
  • 240 ml qumësht
  • 70 gr rrush i thatë
  • 4 lugë çaji lëng limoni
  • 2 lugë çaji ekstrakt vanilje
  • 1 lugë çaji pluhur fryrës për ëmbëlsira
  • ½ lugë çaji sodë buke
  • 1 lugë çaji kripë
PPër shurupin:
  • 220 gr mascarpone
  • 55 gr gjalp
  • 240 gr sheqer pluhur
  • ½ lugë çaji vanilje

Përgatitja:

1. Ndizni furrën në 160oC. Lyeni mirë me gjalp të butë një formë ëmbëlsire duke përdorur një furçë dhe spërkateni me pak miell. Futeni formën në frigorifer dhe lëreni aty derisa të keni përfunduar përgatitjen e brumit.

2. Në një enë mesatare shtoni qumështin dhe lëngun e limonit dhe lëreni mënjanë për disa minuta.

3. Pasi të kenë kaluar disa minuta, shtoni në enë dhe vezët dhe ekstraktin e vaniljes dhe trazojini mirë. Lëreni enën mënjanë.

4. Në një enë tjetër kombinoni miellin, sheqerin, sodën, pluhurin fryrës dhe kripën. Shtoni gjalpin dhe gjysmën e përmbajtjes së enës se qumështit me vezët dhe përziejeni me mikser dore në shpejtësi të ulët për një minutë dhe shtoni gradualisht pjesën e mbetur të enës së qumështit dhe rriteni shpejtësinë e mikserit në mesatare.

5. Vazhdoni të miksoni për disa minuta derisa brumi të bëhet kremoz dhe homogjen. Shtoni rrushin e thatë dhe trazojeni brumin me lugë druri.

6. Merrni formën e ëmbëlsirës nga frigoriferi dhe derdheni brumin e përgtatitur në të. Piqeni për një orë në furrë dhe lëreni pesë minuta të ftohet para se ta nxirrni nga forma.

7. Për të përgatitur shurupin, shtoni të gjithë përbërësit e shurupit në një tenxhere të vogël dhe trazoni me lugë druri derisa të valojë. Lëreni dhe një minutë në zjarr të ulët që sheqeri të shpërbëhet plotësisht.

8. Me një furçë, lyejeni kekun e ngrohtë me shurupin e ftohur. Sipas dëshirës mund të hapni me kunj vrima në kek që të thithë shurup dhe në brendësi.

Minikekë Red Velvet

Përbërësit:

  • 2 vezë
  • 190 gr miell ëmbëlsirash
  • 200 gr sheqer
  • 120 ml qumësht
  • 50 gr gjalp
  • 100 ml vaj misri
  • 10 gr kakao
  • 2 lugë çaji lëng limoni
  • 1 lugë çaji ekstrakt vanilje
  • ½ lugë çaji sodë buke
  • ½ lugë çaji uthull e bardhë
  • Pak ngjyrues i kuq ushqimor
Për kremin:
  • 220 gr mascarpone
  • 55 gr gjalp
  • 240 gr sheqer pluhur
  • ½ lugë çaji vanilje

Përgatitja:

*Përbërësit duhet të jenë në temperaturë dhome.

1. Në një enë të mesme shtoni qumështin dhe lëngun e limonit dhe lëreni mënjanë.

2. Ndizni furrën në 180oC. Ndani veç të bardhat e vezëve dhe rrihini me mikser dore për 3-4 minuta derisa të formohet një shkumë e bardhë dhe lëreni mënjanë.

3. Në një enë të thellë shtoni miellin, sodën, kakaon, kombinojini me lugë druri dhe lëreni mënjanë.

4. Merrni një enë tjetër dhe rrihni gjalpin mirë me mikser derisa të bëhet kremoz dhe i lëmuar. Shtoni sheqerin dhe vazhdoni të miksoni që të formohet një masë homogjene. Shtoni vajin dhe miksojini sërish.

5. Shtoni të kuqtë e vezës dhe ekstraktin e vaniljes. Miksojini edhe një herë. Shtoni uthullën dhe ngjyruesin derisa të arrini ngjyrën e dëshiruar.

6. Ulni shpejtësinë e mikserit dhe shtoni pak nga pak duke alternuar qumështin dhe përmbajtjen e enës ku kemi miellin. Mos e teproni me miksimin, ndaloni kur të jetë homogjenizuar brumi.

7. Shtoni të bardhat e rrahura të vezëve dhe përziejni me kujdes me lugë druri.

8. Mbushni deri në 2/3 foletë e tavës për minikekë me brumin e përgatitur. (Kjo recetë mjafton për rreth 16 minikekë).

9. Piqini për 20 minuta dhe lërini të ftohen.

10. Ndërkohë që piqen përgatisni kremin duke rrahur me mikser mascarponen dhe gjalpin (duhet të jenë temperaturë ambienti) derisa të bëhet masa kremoze. Shtoni sheqerin pluhur dhe vaniljen dhe miksoni sërish.

Kek me krem gështenjash

Përbërësit:

  • 3 vezë
  • 120 gr miell
  • 100 gr sheqer
  • 300 gr krem gështenjash
  • 100 gr gjalp
  • 11 gr maja për ëmbëlsira (nje paketë e vogël)
  • 3-4 gështenja komposto ose të ziera (opsionale)
  • sheqer pluhur për dekor

Përgatitja:

1. Ndizni furrën në 150oC. Në një enë të thellë trazoni mirë vezët dhe sheqerin derisa t’ju formohet një masë homogjene me ngjyrë të çelët.

2. Shkrini gjalpin dhe lëreni të ftohet. Pasi të jetë ftohur, shtojani masës së vezëve me sheqerin.

3. Shtoni kremin e gështenjave dhe trazojini mirë.

5. Në një enë tjeter shtoni miellin dhe majanë e ëmbëlsirave dhe kombinojini me lugë druri dhe më pas shtojeni tek ena ku keni përbërësit e tjerë.

6. Trazoni edhe një herë mirë derisa t’ju formohet një brum homogjen.

7. Në një tavë drejtkëndore buke shtoni gjysmën e masës së brumit, rreshtoni gështenjat në vijë të drejtë dhe shtoni gjysmën e mbetur të brumit sipër.

8. Piqeni për 50 minuta deri në 1 orë . Lëreni të ftohet dhe spërkateni me sheqer pluhur sipas dëshirës.

Role me kanelle (Cinnamon Rolls)

Përbërësit:

Për brumin:
  • 500 gr miell
  • 240 ml qumësht
  • 100 gr sheqer
  • 2 vezë të mëdha
  • 90 gr gjalp i shkrirë
  • 7 gr maja buke
  • 1 lugë çaji ekstrakt vanilje
  • 1 lugë çaji kanellë
  • 1 lugë çaji kripë
Për mbushjen:
  • 200 gr sheqer kaf
  • 17 gr kanellë
  • 60 gr gjalp i zbutur
Për kremin:
  • 220 gr mascarpone
  • 55 gr gjalp
  • 240 gr sheqer pluhur
  • ½ lugë çaji vanilje

Përgatitja:

1. Ngrohni qumështin për pak minuta derisa të jetë i vakët (jo i nxehtë). Derdheni në një enë të thellë dhe shtoni aty një lugë buke sheqer dhe majanë. Trazojini pak dhe lëreni mënjanë pesë minuta derisa majaja të aktivizohet dhe të formohen flluska në sipërfaqe.

2. Pasi të jetë aktivizuar majaja, shtoni në enë sheqerin, gjalpin e shkrirë, vezët dhe ekstraktin e vaniljes.Trazojini mirë derisa të kombinohen.

3. Shtoni miellin, kanellën dhe kripën dhe përziejeni derisa të fillojë t’ju formohet brumi. Ngjesheni brumin e formuar në një sipërfaqe të spërkatur mirë me miell derisa të bëhet elastik dhe të mos ngjisë në duar.

4. Jepini formë topi brumit,vendoseni në një enë të lyer me pak vaj dhe mbulojeni mirë. Lëreni të vijë në një mjedis të ngrohtë derisa të dyfishohet në madhësi (rreth 2 orë).

*Që brumi të vijë më shpejt, mund ta ndizni paraprakisht furrën në 50oC për disa minuta dhe ta fikni. Lërëni brumin të vijë brenda furrës së ngrohur me dritën e furrës të lënë ndezur.

5. Për të përgatitur mbushjen ndërkohë që vjen brumi, përzieni sheqerin dhe kanellën në një enë dhe lëreni gjalpin të zbutet në temperaturë ambienti.

6. Spërkasni sipërfaqen e punës me miell, merrni brumin dhe hapni me të një petë drejtkëndore me përmasa 30 dhe 60 cm.

7. Lyejeni petën mirë me gjalpin e zbutur (duhet të jetë shumë i butë, për ta zbutur mund ta fusni për pak sekonda në mikrovalë.

8. Spërkasni gjithë petën me mbushjen dhe shtypeni pak me duar që mbushja të ngjisë në petë. Rrotullojeni mirë petën në role (nga ana e gjatë e petës) dhe ndajeni në role të vogla me gjatësi 5cm duke prerë me thikë ose me pe kuzhine.

9.Në një tavë drejtkëndore të shtruar me letër kuzhine, vendosni roletë dhe lërini të vijnë për gjysëm ore.

10. Ndizni furrën në 180oC dhe piqini për rreth 20 minuta.

11. Ndërkohë që piqen përgatisni kremin duke rrahur me mikser mascarponen dhe gjalpin (duhet të jenë temperaturë ambienti) derisa të bëhet masa kremoze. Shtoni sheqerin pluhur dhe vaniljen dhe miksoni sërish.

12. Lëreni në temperaturë ambienti kremin dhe kur të jenë pjekur roletë, lyejini me krem sa janë ende të nxehta. Konsumojini të ngrohta.

Komposto gështenje

Përbërësit:

  • 600 gr gështenja (të qëruara)
  • 150 gr sheqer kaf
  • 150 gr sheqer i bardhë
  • 4 lugë çaji sodë buke

Përgatitja:

1. Vendosni gështenjat në një enë të thellë. Në një tenxhere zieni ujë dhe shtojani ujin e zier gështenjave. Lëreni mënjanë gjysëm ore.

2. Kullojini gështenjat nga uji dhe qërojini me thikë duke pasur kujdes të mos dëmtoni cipën e hollë të gështenjave. Cipa do i ndihmojë të ruajnë formën gjatë zierjes.

3. Shtoni gështenjat, ujë të vakët dhe një lugë çaji sodë në një tenxhere dhe vëreni të ziejë. Kur uji të ketë zier, uleni zjarrin dhe lërini të valojnë për 20 minuta në temperaturë të ulët. Derdheni ujin dhe ndërrojeni me ujë të vakët.

4. Ky proces do përsëritet dhe tre herë të tjera, në total katër zierje me ujë të ndërruar çdo herë dhe nga një lugë çaji sodë. Soda ndihmon në eleminimin e shijes së hidhur të cipës së gështenjës.

5. Pas katër zierjeve,hiqni me një kunj venat e trasha të gështenjave, shtoni sheqerin kaf dhe sheqerin e bardhë dhe ujë të vakët dhe ziejini gështenjat  në zjarr të ulët me kapak për rreth gjysëm ore.

6. Komposton kalojeni në kavanoza të sterilizuar dhe mbyllini hermetikisht.

Kek me çokollatë dhe kungull zucchini

Përbërësit:

  • 125gr miell
  • 160 gr sheqer kaf i çelët
  • 55 gr kos grek
  • 2 vezë
  • 50 gr kakao pa sheqer
  • 70 gr copëza çokollate
  • 220 gr kunguj zucchini të grirë (rreth 2 kunguj të vegjël)
  • 60 ml vaj misri
  • 1 lugë çaji ekstrakt vanilje
  • ½ lugë çaji sodë buke
  • ½ lugë çaji pluhur pjekjeje për ëmbëlsira
  • ½ lugë çaji kripë

Përgatitja:

1. Grini kungujt me rende dhe lërini mënjanë duke i mbulur me një pecetë kuzhine që të thithë lagështinë e tepërt.

2. Ndizni furrën në 180oC. Shtroni një tavë drejtkëndore buke me letër pjekjeje dhe lëreni mënjanë.

3. Në një enë të thellë shtoni miellin, kakaon, sodën dhe pluhurin e pjekjes dhe trazojini mirë.

4. Në një enë tjetër shtoni vezët, sheqerin, kosin, vajin dhe vaniljen dhe trazojini mirë derisa të përftohet një masë homogjene.

5. Shtojeni masën e përftuar në enën tjetër ku kemi miellin  dhe trazojini lehtë. Shtoni zucchini-t dhe përziejeni me një lugë druri derisa brumi të lidhet.

6. Shtoni gjysmën e copëzave të cokollatës dhe trazojini edhe një herë. Kalojeni brumin në tavë dhe sipër spërkasni copëzat e mbetura të çokollatës.

7. Piqeni për rreth 50-55 minuta. Lëreni të ftohet tërësisht para se ta servirni.

Galette me hurma

Përbërësit:

Për bazën:
  • 320 gr miell
  • 220 gr gjalp
  • 1 vezë
  • 15 gr sheqer
  • 1 lugë çaji kripë
  • 60 ml ujë
Për shurupin:
  • 180 gr sheqer
  • 230 ml ujë
  • 1 shkop kanelle
Për mbushjen:
  • 55 gr mascarpone
  • 25 gr sheqer
  • ½ lugë çaji vanilje
  • ¼ lugë çaji kanellë
  • 2-3 hurma mesatare

Përgatitja:

1. Prisni gjalpin në kubikë dhe lëreni në ngrirje për disa minuta.

2. Në një enë të thellë shtoni miellin, sheqerin dhe kripën. Trazojini mirë.

3. Shtoni gjalpin e ftohtë në enën e miellit dhe shtypeni me pirun. Më pas thërrmojini copëzat e mbetura me gishta derisa masa të mos ketë copa të dukshme gjalpi.

4. Shtoni vezën dhe trazoni mirë. Shtoni ujin pak nga pak dhe formoni brumin me dorë në trajtë topi. (Mund t’ju duhet me pak ose më shumë ujë, prandaj shtojeni me kujdes duke pare gjendjen e brumit.)

5. Pasi keni formuar një brum të qëndrueshëm që mban formë topi, shtypeni pak në trajtë disku, mbështilleni me letër plastike dhe lërëni në frigorifer për rreth 45 minuta.

6. Në një tenxhere mesatare shtoni përbërësit e shurupit, trazojini mirë dhe lëreni të valojë. Pasi ka valuar lërëni të ziejë në temperaturë të ulët për rreth pesë minuta.

7. Kalojeni shurupin në një enë që të ftohet.

8. Merrni një enë dhe shtoni në të mascarponen, sheqerin, vaniljen dhe kanellën. Trazojini mirë derisa të njëtrajtësohen.

9. Shtroni një tavë me letër pjekjeje dhe ndizni furrën në 180o.

10. Nxirrni brumin nga frigoriferi, merrni 2/3 e brumit dhe 1/3 lëreni mënjanë. Hapeni në një petë me diametër rreth 25 cm.

*1/3 e mbetur tw brumit mund ta fusni nw ngrirje dhe ta pwrdorni pwr njw herw tjetwr.

11. Kalojeni petën në tavën e shtruar. Shtoni me lugë mbushjen e mascarpones në qendër të petës dhe përhapeni pa iu afruar buzëve të petës.

12. Pritini hurmat në feta të holla dhe kalojeni çdo fetë në shurup dhe shkundeni pak.

13. Mbi mbushje shtroni fetat e hurmës në formë spirale nga jashtë drejt qendrës. Palosni buzët e petës mbi mbushje dhe shtypini pak me gishta.

14. Lyejini buzët e petës me pak të kuq veze duke përdorur një furçë dhe spërkateni galette-n me një majë gishtash sheqer kaf.

15. Piqeni galette-n për rreth 50 minuta – 1 orë derisa peta të ketë marrë ngjyrë të artë.

Biskota me tërshërë dhe rrush të thatë

Përbërësit:

  • 120 gr miell
  • 150 gr tërshërë kokërr plotë
  • 75 gr sheqer kaf
  • 75 gr sheqer i bardhë
  • 115 gr gjalp
  • 1 vezë
  • 100 gr rrush i thatë
  • 50 gr arra të copëtuara
  • 1 lugë çaji kanellë
  • ½ lugë çaji sodë buke
  • 1 lugë çaji ekstrakt vanilje
  • 1 majë luge  kripë

Përgatitja:

1. Në një enë të thellë shtoni miellin, sodën, kanellën dhe kripën. Lëreni mënjanë.

2. Merrni një enë tjetër dhe shtoni gjalpin, sheqerin kaf dhe sheqerin e bardhe. (Gjalpi duhet të jetë i zbutur në temperaturë dhome.)  Miksojini me mikser dore derisa të formohet një masë kremoze dhe homogjene.

3. Vazhdoni të miksoni duke shtuar miellin nga pak derisa të kombinohet mirë. Shtoni tërshërën, arrat dhe rrushin e thatë dhe trazojini me lugë druri.

4. Mbulojeni brumin e formuar me letër plastike kuzhine dhe lëreni të pushojë në frigorifer për rreth gjysëm ore.

5. Ndizni furrën në 180o. Shtroni dy tava me letër pjekjeje. Merrni brumin nga frigoriferi dhe ndajeni me lugë në topa të barabartë (rreth 18). Shtypini topat lehtë me gisht (jo shumë  sepse do të shtypen vetë gjatë pjekjes).

6. Sigurohuni që të ketë distancë mes biskotave pasi do të hapen pak gjatë pjekjes. Piqini për 10-15 minuta, jo më shumë.

7. Kur dalin nga furra biskotat janë  të buta. Duhet t’i lini në tavë të ftohen për minimumi 10-15 minuta dhe biskotat do të forcohen vetë.