Brownie

Përbërësit:

  • 60 gr miell
  • 30 gr kakao
  • 3 vezë
  • 110 gr gjalp
  • 200 gr çokollatë e zezë për gatim
  • 200 gr sheqer
  • 100 gr sheqer kaf
  • 1 lugë çaji ekstrakt vanilje
  • 1 majë gishtash kripë

Përgatitja:

1. Ndizni furrën në 180oC.

2. Lyeni me gjalp një tavë katrore me përmasa 20×20 cm. Pasi ta keni lyer, shtrojeni me letër pjekjeje dhe lëreni mënjanë.

3. Priteni çokollatën në copa me thikë dhe shtojeni në një enë. Ndajeni gjalpin në copa dhe shtojeni në enë. Shkrijeni çokollatën dhe gjalpin në bain marie (vendoseni enën mbi një tenxhere me ujë që është gati në të valuar.

4. Lëreni mënjanë çokollatën e shkrirë që të ftohet plotësisht.

5. Në një enë të thellë shtoni sheqerin kaf dhe sheqerin e bardhë. Trazojini dhe shtoni vezët një nga një ndërkohë që trazoni vazhdimisht.

6. Shtoni ekstraktin e vaniljes dhe kripën dhe trazoni sërish. Shtoni çokollatën e shkrirë dhe trazoni mirë.

7. Sitni miellin dhe kakaon dhe shtojini pak nga pak në përmbajtjen e enës. Përzieni lehtë me një spatul derisa të formohet nje brum homogjen (mos e teproni në përzierje).

8. Derdheni brumin në tavë. Përplaseni dy-tri herë tavën që të përhapet njëtrajtësisht brumi në tavë.

9. Piqeni për gysëm ore dhe lëreni të ftohet plotësisht.

10. Për ta prerë më thjeshtë brownie-n, përdorni një thike të mprehtë pasi ta keni zhytur në ujë të nxehtë dhe ta keni fshirë me pecetë.

.

Minikekë me dardhë dhe bajame

Përbërësit:

  • 175 gr miell integral
  • 90 gr tërshërë kokërrplotë
  • 240 ml qumësht
  • 110 gr sheqer kaf
  • 55 ml vaj misri
  • 1 vezë
  • 200 gr dardha të prera në kubikë
  • 40 gr bajame të copëtuara
  • 1 lugë çaji ekstrakt vanilje
  • ½ lugë çaji sodë buke
  • 1 lugë çaji pluhur fryrës për ëmbëlsira
  • 1 lugë çaji kanellë
  • ¼ lugë çaji kripë

Përgatitja:

1. Ndizni furrën në 200oC.

2. Në një enë  të thellë shtoni qumështin dhe tërshërën, trazojini dhe lëreni mënjanë për rreth 10 minuta.

3. Në një enë tjetër shtoni miellin, kripën, sodën, pluhurin fryrës dhe kanellën. Lëreni mënjanë.

4. Shtoni vajin, sheqerin kaf, ekstraktin e vaniljes dhe vezën e rrahur në enën e tërshërës. Trazoni mirë dhe shtoni përmbajtjen e enës së miellit. Trazoni pak dhe shtoni dardhat dhe bajamet.

5. Brumin e përgatitur derdheni në një tavë minikekësh të shtruar me letra të posaçme. Spërkatini me bajame të prera.

6. Piqini minikekët për rreth 10-15 minuta. Hiqini nga furra dhe lërini të ftohen.

Kek i përmbysur me pjeshkë

Përbërësit:

  • 155 gr miell bajamesh
  • 3 vezë të vogla
  • 105 gr mjalt
  • 4 pjeshka mesatare
  • lëkura e grirë e një limoni

Përgatitja:

1. Ndizni furrën në 150oC.

2. Lyeni me gjalp dhe shtroni me letër pjekje një tavë me diametër 20 cm.

3. Qëroni pjeshkët dhe pritini në feta. Shtrojini fetat e pjeshkëve në tavë duke mos lënë hapësira boshe mes tyre. Lëreni tavën mënjanë.

4.  Merni një enë mesatare dhe shtoni miellin e bajameve dhe lëkurën e limonit. Trazojini pak dhe lëreni mënjanë.

5. Në një enë tjetër shtoni mjaltin dhe vezët. Rrihini me mikser derisa t’ju formohet një marengë e qëndrueshme.

6. Shtoni nga pak masën e miellit të bajames tek vezët e rrahura dhe trazoni me spatul duke pasur kujdes që të mos ulni volumin e vezëve të rrahura.

7. Derdheni brumin e përgatitur në tavë mbi shtresën e pjeshkëve. Piqeni kekun për rreth 45-50 minuta dhe kontrollojeni me kunj në qoftë se është bërë.

8. Nxirreni kekun nga furra dhe lëreni të ftohet plotësisht. Pasi të jetë ftohur, kthejeni përmbys në një pjatë dhe servireni.

Cheesecake me boronica & mjedra (Pa pjekje)

Përbërësit:

Për bazën e cheesecake:
  • 140 gr biskota
  • 70 gr gjalp i shkrirë
Për shtresën e parë:
  • 210 gr mascarpone
  • 5 gr fletë xhelatine
  • 100 ml pana për ëmbëlsira
  • 90 gr pure boronice
Për shtresën e dytë:
  • 210 gr mascarpone
  • 5 gr fletë xhelatine
  • 100 ml pana për ëmbëlsira
  • 45 gr sheqer
Për shtresën e tretë:
  • 210 gr mascarpone
  • 5 gr fletë xhelatine
  • 100 ml pana përr ëmbëlsira
  • 177 gr pure mjedrash
Për purenë e mjedrës:
  • 260 gr mjedra
  • 60 gr sheqer
  • 7 ml lëng limoni
Për purenë e boronicës:
  • 115 gr boronica
  • 50 gr sheqer
  • 5 ml lëng limoni

Përgatitja:

1. Për të përgatitur purenë e mjedrave, shtoni mjedrat, lëngun e limonit dhe sheqerin në një tenxhere mesatare dhe vërini në zjarr të mesëm. Trazoni vazhdimisht dhe shtypini me lugë mjedrat. Lërini në zjarr për rreth 30-40 minuta derisa të jetë formuar një pure e trashë.

2. Kullojeni purenë e mjedrave për të eleminuar farat dhe lëreni të ftohet.

3. Për të përgatitur purenë e boronicave, shtoni boronicat, lëngun e limonit dhe sheqerin në një tenxhere mesatare dhe përsërisni të njëjtin proces si me purenë e mjedrave.

4. Thërrmoni biskotat në blender dhe shtojini në një enë mesatare. Shtoni gjalpin e shkrirë dhe trazojini mirë me lugë derisa të homogjenizohen.

5. Shtrojeni masën e përgatitur me biskotat dhe gjalpin në një tavë rrethore me diametër 20 cm dhe sheshojeni mirë me lugë derisa të keni një bazë solide për cheesecake-un.

6. Futeni tavën në ngrirje dhe lëreni për minimalisht 30 minuta.

7. Merrni një enë dhe shtoni mascarponen për shtresën e parë (mascarpone-ja duhet të jetë temperaturë dhome). Trazojeni me tel kuzhine derisa të jetë e butë dhe kremoze.

8. Përgatisni xhelatinën. Zhysni në një enë me ujë të ftohtë me akull fletët e xhelatinës dhe lërini për rreth 10 minuta. Pasi të kenë kaluar 10 minuta shtrydheni xhelatinën me dorë dhe shkrijeni në mikrovalë.

9. Shtojeni xhelatinën e shkrirë në enën e mascarpones dhe trazoni shpejt. Rrihni panën e ëmbëlsirës me mikser dore derisa të bëhet krem i qëndrueshëm dhe shtojeni në enën e mascarpones. Shtoni dhe purenë e boronices dhe trazoni me spatul.

10. Merrni tavën nga ngrirja dhe shtoni masën e përgatitur për shtresën e parë. Rivendoseni tavën në ngrirje derisa të përfundoni përgatitjen e shtresës së dytë.

11. Procesi i përgatitjes për shtresën e parë  do të përsëritet dhe për shtresën e dytë dhe të tretë me të vetmin ndryshim që në vend të puresë së boronicës, në shtresën e dytë do të shtohet sheqeri ndërsa në shtresën e tretë pureja e mjedrës

12.  Lëreni cheesecake-un e përgatitur për disa orë në ngrirje para se ta konsumoni.

Tortë me karamel qumeshti dhe lajthi

Përbërësit:

Për karamelin e qumështit:
  • 120 gr sheqer
  • 45 ml ujë
  • 400 ml qumësht i kondensuar
  • 180 ml pana për ëmbëlsira
Për shtresat e kekut:
  • 4 vezë
  • 320 gr miell
  • 100 gr sheqer
  • 220 gr karamel qumështi
  • 250 ml qumësht
  • 2 lugë çaji lëng limoni
  • 170 ml vaj misri
  • 10 gr sodë buke
  • 8 gr pluhur pjekjeje
  • 20 ml ujë i nxehtë + 4 gr kafe (instant coffee)
  • 1 lugë çaji ekstrakt vanilje
Për mbushjen:
  • 150 gr lajthi
  • 80 gr karamel qumështi
  • 100 ml qumësht i kondensuar
Për kremin:
  • 600 ml pana për ëmbëlsira
  • 450 gr mascarpone
  • 200 gr karamel qumështi
  • 120 ml qumësht i kondensuar
  • 2 lugë çaji ekstrakt vanilje

Përgatitja:

1. Për të përgatitur karamelin e qumështit, shtoni sheqerin dhe ujin në një tenxhere mesatare. Mos i trazoni,sepse sheqeri do t’ju ngurtësohet.

2. Lëreni në zjarr të fortë derisa karameli të marrë ngjyrë të kuqerremtë. Hiqeni nga zjarri tenxheren dhe shtoni qumështin e kondensuar. Kthejeni tenxheren në zjarr dhe trazoni vazhdimisht masën.

3. Shtoni panën dhe vazhdoni të trazoni në zjarr mesatar. Hiqeni nga zjarri pas disa minutash kur karameli të jetë trashur. (Pasi të jetë ftohur karameli do të trashet akoma më shumë.)

4. Shtoni lëngun e limonit në gotën e qumështit që ju duhet për të përgatitur brumin e shtresave të tortës dhe trazojeni mirë. Lëreni mënjanë për rreth 10 minuta.

5. Për të përgatitur shtresat e tortës, merrni një enë të thellë. Shtoni në enë vezët, sheqerin, vaniljen dhe karamelin e qumështit. Trazojini me mikser derisa masa të homogjenizohet. Shtoni vajin dhe qumështin dhe miksoni sërish.

6. Tresni kafen në ujin e nxehtë, lëreni të ftohet dhe shtojeni në enë.

7. Merrni një enë tjetër dhe shtoni miellin, sodën, pluhurin e pjekjes. Trazojini me lugë dhe shtojeni tek ena tjetër duke e kaluar në sitë. Miksojini të gjithë përbërësit me mikser dore.

8. Ndajeni brumin e përgatitur në mënyrë të barabartë në tre tava me diametër 20cm të shtruara me letër pjekjeje (rreth 440 gr brumë për tavë).

9. Piqini kekët në furrë të ngrohur në 180oC për 25-30 minuta.

10. Për të përgatitur mbushjen, shtoni në një enë qumështin e kondensuar, karamelin e qumështit dhe lajthitë. Trazojini mirë me tel kuzhine dhe lëreni mënjanë.

11. Për të përgatitur kremin, rrihni panën për ëmbëlsira derisa të formohet krem i ngurtë dhe i qëndrueshëm. Lëreni mënjanë.

12. Në një enë rrihni me mikser mascarponen, qumështin e kondensuar, karamelin e qumështit dhe vaniljen derisa të bëhet kremoze. Shtojeni kremin e formuar tek pana e rrahur dhe rrihini për pak sekonda derisa të kombinohen.

13. Lëreni kremin të ftohet për rreth 30 minuta në frigorifer.

14. Për të përgatitur tortën, shtroni shtresën e parë të kekut, lyejeni me një shtresë mbushje dhe me një shtresë nga kremi i përgatitur. Përsëriteni këtë proces dhe me shtresën e dytë dhe në fund vendosni sipër shtresën e fundit. Mbulojeni tortën në të gjithë anët me krem dhe dekorojeni sipas dëshirës me lajthi.

Vezë në avokado

Përbërësit:

  • 2 avokado
  • 4 vezë të vogla
  • Djath parmigiano i grirë
  • Kripe, piper, paprika

Përgatitja:

1. Ndizni furrën në 220oC.

2. Ndani avokadot përgjysëm dhe hiqini një pjesë të tulit për ta zgjeruar gropën. Mbushini gropat me nga një vezë secila.

3. Spërkatini me djath parmigiano dhe erëza sipas dëshirës. Vendosini avokadot në një tavë të shtruar me letër pjekjeje.

4. Piqini për rreth 12-15 minuta derisa veza të jetë mpiksur.

Recete Torte me Arre Kokosi

Përbërësit:

Për kekun:
  • 360 gr miell
  • 530 ml qumësht kokosi (i konservuar, jo në kuti kartoni)
  • 100 gr arrë kokosi
  • 225 gr gjalp
  • 4 vezë + 4 të bardha veze
  • 400 gr sheqer
  • 15 gr pluhur pjekjeje
  • 2 lugë çaji ekstrakt vanilje
Për mbushjen:
  • 380 ml qumësht kokosi
  • 55 ml qumësht
  • 85 gr sheqer
  • 5 të kuq veze
  • 23 gr niseshte
  • 1 lugë çaji vanilje
  • 50 gr bajame të copëtuara
Për shurupin:
  • 100 gr çokollatë e bardhë (për gatim)
  • 400 gr gjalp
  • 320 ml qumësht i kondensuar

Përgatitja:

1. Ngrohni furrën në 180oC. Bëni gati tre tava me diametër 20 cm (lyejini me gjalp ose shtrojini me letër pjekjeje.

2. Sitni miellin dhe pluhurin e pjekjes në një enë të thellë. Shtoni dhe arrën e kokosit.Trazojini pak sa të kombinohen dhe lëreni enën mënjanë.

3. Në një enë tjetër shtoni gjalpin, (gjalpi duhet të jetë i butë, temperaturë ambienti) sheqerin dhe vaniljen. Miksojini me mikser dore rreth 10 minuta derisa të formohet një masë kremoze me ngjyrë të çelët.

4. Shtoni një nga një vezët dhe të bardha e vezëve ndëkrohë që vazhdoni të miksoni.

5.Shtoni pak nga pak përmbajtjen e enës së miellit dhe qumështin e kokosit duke i alternuar të dyja dhe vazhdoni të rrihni me mikser derisa të ju formohet një brumë homogjen.

6. Peshojeni dhe ndajeni brumin në mënyrë të barabartë në tre tavat dhe piqini kekët për rreth 40-50 minuta derisa një kunj të dalë i pastër nga qendra e kekut.

7. Ndërkohë që piqen shtresat e tortës, përgatisni mbushjen. Kjo mbushje është si kremi i pastiçerisë vetëm se në vend të qumështit të zakonshëm përdoret qumësht kokosi.

8. Shtoni qumështin, sheqerin dhe vaniljen në një tenxhere që nuk ngjit. Trazoni mirë me tel kuzhine. Lëreni në zjarr derisa të formohen flluska në anët e tenxheres dhe qumështi të jetë gati në të valuar.

9. Në një enë të thellë shtoni të kuqtë e vezëve dhe niseshten. Trazojini mirë dhe shtoni përmbajtjen e tenxheres duke trazuar me shpejtësi gjatë gjithë procesit në mënyrë që të mos ju mpikset veza nga nxehtësia e qumështit.

10. Kalojeni përmbajten e enës sërish në tenxhere dhe vëreni në zjarr mesatar duke trazuar vazhdimisht derisa t’ju formohet një krem i lëmuar në trajtë pudingu.

11. Kalojeni kremin në një enë dhe mbulojeni sipërfaqen me letër plastike kuzhine. Lëreni të ftohet plotësisht dhe lëreni në frigorifer.

12. Pasi shtresat e kekut të jenë pjekur dhe ftohur plotësisht, përgatisni kremin. Në një enë shtoni gjalpin e zbutur dhe miksojeni me mikser dore për disa minuta derisa të bëhet i çelët në ngjyrë dhe kremoz.

13. Shtoni qumështin e kondensuar (duhet të jetë i ftohtë) dhe miksoni për 1 minutë. Shtoni dhe çokollatën e bardhë të shkrirë dhe miksoni sërish për pak. Kremi duhet të jetë i trashë dhe i qëndrueshëm, në të kundërt lëreni të ftohet rreth 30 minuta në frigorifer.

14. Përgatisni tortën duke mbuluar shtresën e parë me mbushjen dhe me një pjesë të bajameve të copëtuara. Përsëriteni të njëjtin proces me shtresën e dytë dhe vendosni mbi to shtresën e tretë. Mbuloni me kujdes tortën me krem nga çdo anë dhe spërkateni me arrë kokosi sipas dëshirës. Lëreni disa orë në frigorifer para se ta konsumoni.

Babka me çokollatë

Përbërësit:

  • 500 gr miell
  • 100 gr sheqer
  • 120 ml qumësht
  • 90 gr gjalp
  • 3 vezë
  • 9g maja buke
Për mbushjen:
  • 170 gr çokollatë (60-70 % kakao)
  • 100 gr gjalp
  • 90 gr sheqer pluhur
  • 15 gr kakao
  • 40 gr lajthi të thërrmuara
Për shurupin:
  • 100 ml ujë
  • 70 gr sheqer

Përgatitja:

1. Në një enë shtoni majanë dhe qumështin e vakët. Trazojini pak me lugë dhe mbulojeni enën me një pecetë të pastër. Lëreni mënjanë për 10 minuta. Pas 10 minutash majaja duhet të jetë aktivizuar dhe të ketë formuar flluska në sipërfaqe.

2. Kalojeni përmbajtjen e enës në një enë të thellë. Aty shtoni dhe miellin, sheqerin, vezët dhe gjysmën e gjalpit. Trazoni mirë derisa t’ju formohet brumi dhe ngjesheni për pak minuta brumin e formuar.

3. Shtoni pak nga pak gjalpin e mbetur ndërkohë që vazhdoni ta ngjeshni brumin. Kalojeni brumin në një sipërfaqe të spërkatur me miell dhe ngjesheni për disa minuta derisa të bëhet elastik dhe i punueshëm.

4. Jepini brumit formë drejtkëndore dhe mbështilleni lirshëm me letër plastike kuzhine. Lëreni në frigorifer për disa orë (në rastin ideal, lëreni të pushojë gjithë natën).

5. Për të përgatitur mbushjen, bëni gati një bain marie. Merrni një tenxhere të mbushur 1/3 me ujë dhe vëreni në zjarr. Kur uji të jetë gati në të vluar, kaloni në zjarr të ulët. Puthisni mbi tenxhere një enë rezistente ndaj nxehtësisë dhe aty shtoni çokollatën e ndarë në copa dhe gjalpin e prerë gjithashtu në copa. Trazoni vazhdimisht me spatul derisa të shkrijnë plotësisht gjalpi dhe çokollata.

6. Fikeni zjarrin dhe shtoni sheqerin pluhur dhe kakaon. Trazoni mirë derisa të shpërbëhen plotësisht kokrrizat dhe kremi i çokollatës të jetë tërësisht kremoz.

7. Merrni brumin nga frigorifer dhe ndajeni në dy pjesë. (Receta mjafton për dy babka)  Njërën gjysëm lëreni në frigorifer derisa të keni mbaruar punë me të parën.

8. Kalojeni brumin në një sipërfaqe të spërkatur me miell dhe hapeni me pec në një petë drejtkëndore rreth 30×40 cm.

9. Lyejeni petën me kremin e përgatitur duke shmanguar cepat dhe spërkateni me gjysmën e lajthive të thërrmuara. Rrotullojeni me kujdes petën në një role të gjatë. Futeni rolenë në ngrirje për 5 minuta për ta pasur më të lehtë ta prisni.

10. Nxirreni rolenë nga ngrirja dhe priteni me një thikë të mprehtë në dy pjese të barabarta duke bërë nje prerje gjatësore në mes të rolesë. Dy pjesët e ndara ndërthurini si gërshet duke ekspozuar sipër prerjen ku duken vijëzimet e çokollatës.

11. Kalojeni babkën në një tavë drejtkëndorë buke të lyer me gjalp ose të shtruar me letër kuzhine. Lëreni të vijë në një ambient të ngrohtë për rreth 1 orë e gjysëm derisa të jetë dyfishuar në madhësi.

12. Piqeni në një furrë të parangrohur në 180oC për rreth gjysëm ore.

13. Përgatisni shurupin në kohën që babka piqet. Shtoni ujin dhe sheqerin në një tenxhere dhe lërini të vlojnë për disa minuta derisa sheqeri të shkrijë. Kur të jetë pjekur babka, lyejeni me furçë me shurupin e përgatitur sa është ende e nxehtë.

14. Të njëjtin proces përsëriteni për gjysmën e brumit të mbetur.

Minikekë të shëndetshëm me mollë

Përbërësit:

  • 180 gr miell integral
  • 100 gr tërshërë
  • 135 gr sheqer kaf
  • 280 gr kos grek
  • 2 vezë
  • 125 ml qumësht
  • 130 gr mollë e grirë
  • 100 gr karrotë e grirë
  • 40 gr bajame të copëtuara
  • 50 gr rrush i thatë
  • 14 gr pluhur fryrës për ëmbëlsira
  • 2 lugë çaji ekstrakt vanilje
  • 2 lugë çaji kanellë

Përgatitja:

1. Në një enë të thellë shtoni miellin integral, tërshërën, sheqerin kaf, pluhurin fryrës dhe kanellën. Trazoni mirë derisa të kombinohen plotësisht.

2. Merrni një enë tjetër dhe shtoni kosin grek, qumështin, vezët, vaniljen dhe trazoni mirë me tel kuzhine. Shtoni masën e enës tjetër dhe trazoni sërish derisa të formohet një brumë i trashë.

3. Shtoni karrotat e grira, mollën, rrushin e thatë dhe bajamet. Përziejini dhe një herë derisa masa të homogjenizohet.

4. Ndizni furrën në 180oC. Përgatisni një tavë mini-kekësh me 12 vende dhe derdheni brumin në gropëzat e tavës.

*Kjo recetë është e mjaftueshme për 20 mini-kekë.

5. Spërkatini me sheqer kaf sipër dhe piqini për rreth 25 minuta.

.

Cheesecake me luleshtrydhe

Përbërësit:

  • 450 gr mascarpone
  • 270 gr kos grek (ose salcë kosi)
  • 200 gr sheqer
  • 3 vezë
  • 25 gr miell
  • 1 lugë çaji ekstrakt vanilje
  • 2 lugë çaji lëng limoni
  • 150 gr biskota të thjeshta
  • 30 gr arrë kokosi e grirë
  • 60 gr gjalp i shkrirë
Për salcën e luleshtrydhes (coulis):
  • 200 gr luleshtrydhe
  • 70 gr sheqer
  • 1 lugë gjelle lëng limoni

Përgatitja:

1. Thërrmoni biskotat në blender. Kalojini biskotat e thërrmuara në një enë të thellë. Aty shtoni dhe arrën e kokosit dhe gjalpin e shkirë. Trazojini mirë me spatul derisa të kombinohen sic duhet.

2. Merrni një tavë katrore 22×22 cm dhe shtrojeni me letër pjekjeje. Shtoni masën e përgatitur në tavë dhe sheshojeni me lugë që të formohet një sipërfaqe e niveluar mirë.

3. Futeni tavën në ngrirje dhe lëreni për rreth gjysëm ore.

4. Ndërkohë që ftohet baza e cheesacake, përgatisni salcën e luleshtrydhes. Në një tenxhere që nuk ngjit shtoni luleshtrydhet e prera në copa, lëngun e limonit dhe sheqerin.

5. Lërini në zjarr mesatar duke i trazuar vazhdimisht me lugë druri për rreth 10 minuta derisa lëngu që lëshojnë luleshtrydhet të jetë trashur.

6. Hiqeni nga zjarri salcën dhe frulojeni me nje blender dore derisa copat e luleshtrydheve të shpërbëhen. Kullojeni salcën në sitë që të shmangni farat dhe lëreni mënjanë.

7. Për kremin e cheesecake, shtoni mascarpone-n në një enë të thellë. (Mascarpone-ja duhet të jetë në temperaturë dhome, jo i ftohtë) Miksojeni me mikser dore në shpejtësi minimale për rreth 30 sekonda sa të bëhet kremoz.

8. Shtoni kosin grek, sheqerin, miellin, vaniljen dhe limonin. Miksoni sërish derisa masa të homogjenizohet.

9. Në një enë tjetër rrihni lehtë vezët me një tel kuzhine. Shtoni vezët e rrahura tek ena e kremit dhe përziejini me spatul.

10. Merrni tavën nga ngrirja dhe derdhni mbi bazën e biskotës masën e kremit të përgatitur. Sheshojeni me lugë dhe shtoni salcën e luleshtrydhes sipër. Me një kunj, trazojeni salcën në mënyrë të çrregull që t’i jepni cheesecake-ut pamjen e mermertë në sipërfaqe.

11. Piqeni në furrë të parangrohur në temperaturë 140oC për rreth 1 orë. Kur ta nxirrni nga furra, anët duhet të jenë mpiksur, ndërsa qendra e cheesecake-ut duhet të jetë ende e butë dhe e lëvizshme.

12. Lëreni të ftohet plotësisht dhe pastaj lëreni në frigorifer për të paktën 8 orë para se ta konsumoni.