Tortë Ruse Me Mjaltë (Medovik)

Përbërësit:

Për thërrmijat:
  • 65 gr gjalp
  • 65 gr sheqer
  • 2 vezë
  • 50 gr mjaltë
  • 150 gr miell
  • 1 lugë çaji sodë buke
  • 1 lugë çaji kanellë
Për mjaltin e karamelizuar:
  • 255 gr mjaltë
  • 45 ml ujë i ftohtë
Për shtresat e tortës:
  • 100 gr sheqer
  • 70 gr gjalp
  • 40 gr mjaltë i karamelizuar
  • 45 gr mjaltë
  • 3 vezë
  • 370 gr miell (+ 1,2 lugë në varësi të trashësisë që merr brumi)
  • 1 lugë çaji sodë buke
  • ½ lugë çaji kripë
  • ½ lugë çaji kanellë
Për kremin:
  • 1 litër pana e ëmbël për ëmbëlsira
  • 150 gr salcë kosi
  • 40 gr mjaltë i karamelizuar (sasia në varësi të shijes suaj)

Përgatitja:

1. Si fillim, duhen përgatitur thërmijat që duhen për mbulimin e tortës. Brumi do përgatitet me metodën bain marie. Si fillim, vendosni një tenxhere të thellë të mbushur 2/3 me ujë në zjarr. Në momëntin që uji është gati të valojë, ulni temperaturën në minimum dhe vendosni një enë që duron nxehtësinë mbi buzët e tenxheres. Ena duhet të përputhet perfekt me tenxheren në mënyrë që avulli i ujit të mos dalë jashtë.

2. Në enë shtoni gjalpin e prerë në kubikë, sheqerin dhe mjaltin. Lërini për 2 minuta derisa gjalpi të shkrijë nga nxehtësia e avullt. Pasi gjalpi të ketë shkrirë, shtoni vezët (duhet të jenë të ftohta) dhe trazojeni masën me shpejtësi me një tel kuzhine.

_*Duhet të keni shumë kujdes me temperaturën, në qoftë se është më e lartë se minimalja dhe në qoftë se nuk e trazoni vezën në moment, veza do gatuhet nga nxehtësija!

3. Pasi të jetë homogjenizuar mirë veza, shtoni sodën dhe kanellën, trazojini, lëreni dy minuta dhe hiqeni enën nga tenxherja. Fikeni zjarrin.

4. Në enë shtoni pak nga pak miellin me sitë. Trazojeni mirë dhe do ju formohet një brumë me trashësi si të kekut.

5. Merrni një tavë furre, shtrojeni me letër kuzhine dhe derdheni brumin në tavë. Brumi nuk do mbulojë tavën cep më cep, thjesht sheshojeni pak me spatul në formë drejtkëndore.

6. Piqeni për 10 minuta në 190oC dhe nxirreni nga furra, copëtojeni kekun e hollë me thikë dhe copat shkartisini sërish në tavë. Piqini dhe një herë për 10 minuta që të bëhen krokante.

7. Pasi t’i keni nxjerrë nga furra dhe të jenë ftohur, kalojini në blender dhe thërrmojini imët. Thërrmijat lërini mënjanë në një enë ose një kavanoz derisa të përfundoni proceset e tjera të tortës.

8. Për të përgatitur mjaltin e karamelizuar, shtoni mjaltin në një tigan të thellë dhe lëreni 10 minuta në zjarr mesatar. Mjalti do marrë një nuancë më të mbyllur dhe aromë karameli. Kur të shkumojë, trazojeni pak me spatul. Fikeni zjarrin dhe shtoni ujin e ftohtë për të ndaluar procesin e karamelizimit. Trazojeni pak dhe lëreni mënjanë.

9. Për të përgatitur brumin e shtresave do përdoret sërish metoda bain marie. Vendosni një enë të përshtatshme mbi enën ku ka filluar të valojë uji dhe uleni temperaturën në minimum. Shtoni gjalpin, sheqerin, mjaltin, mjaltin e karamelizuar dhe lëreni 2 minuta derisa të shkrijë gjalpi.

10. Ndërkohë që gjalpi shkrin, rrihni me pirun vezët e ftohta në një enë të vogël. Kur gjalpi të ketë shkrirë, shtoni vezët dhe trazoni me shpejtësi me tel kuzhine që veza të mos mpikset.

11. Shtoni sodën e bukës, kanellën dhe kripën dhe trazoni sërish. Lëreni dy minuta dhe hiqeni enën nga tenxherja. Fikeni zjarrin.

12. Shtoni në enë miellin pak nga pak me sitë ndërkohë që trazoni. Në këtë fazë duhet të keni një brumë të punueshëm me dorë, jo ngjitës. Në qoftë se shikoni që brumi ju ngjit shumë në dorë shtoni dhe nga një lugë miell.

13. Ngjesheni brumin në një sipërfaqe të spërkatur me miell për disa minuta. Brumi duhet të jetë i lëmuar dhe elastik. Peshojeni brumin dhe ndajeni në 8 pjesë të barabarta. (Rreth 90 gr secila.) Mbulojini me letër kuzhine kuleçët e brumit që të mos thahen ndërkohë që punoni.

14. Ndizni furrën në 190oC dhe bëni gati dy tava të shtruara me letër pjekjeje.

14. Me secilin nga 8  kuleçët e brumit do hapni petë me diametër 21-22 cm. Shtrojeni petën e hapur në tavë dhe piqeni për jo më shumë se 4-5 minuta. Duhet të tregoni kujdes sepse petët digjen shumë shpejt në qoftë se nuk tregoheni të vëmendshëm!

15. Petën e pjekur, sa është ende e nxehtë, pritjani me thikë këndet e dala duke përdorur si formë orientuese një disk ose kapak me diametër 20 cm që mund t’ia vendosni sipër. Pra, peta të ketë formë perfekte rrethore në fund.

16. Ndërkohë që njëra petë piqet, hapni tjetrën dhe shtrojeni në tavën tjetër. Kështu duke punuar me dy tava në paralel mund të kurseni kohë.

17. I njëjti proces do të bëhet për të teta petët. Lërini petët e ftohura njëra mbi tjetrën dhe kaloni në përgatitjen e kremit.

18. Fusni në ngrirje enën ku do rrihni kremin dhe rrahëset e mikserit elektrik. Rrahëset, ena dhe kremi duhet të jenë shumë të ftohta, ndryshe pana e ëmbëlsirës nuk do t’ju trashet.

19. Rrihni panën e ëmbëlsirave me mikser elektrik derisa të formohen maja të buta kremi. Shtoni mjaltin e karamelizuar dhe salcën e kosit dhe vazhdoni të rrihni kremin derisa të formohen maja që ruajnë formën.

20. Për të përgatitur tortën, vendosni një shtresë në një pjatë të sheshtë, lyejeni me krem duke e sheshuar kremin mirë me spatul, vendosni një shtresë tjetër sipër dhe mbi të kremin .etj. I njëjti proces derisa të keni arritur në shtresën e fundit. Mbulojeni dhe shtresën e fundit me krem dhe sheshojeni mirë me spatul. Lyeni dhe anët e tortës me krem dhe në fund mbulojeni me thërmijat e përgatitura më parë.

21. Dekorojeni tortën sipas dëshirës me fruta dhe lëreni në frigorifer për minimumi 8 orë para se ta konsumoni.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s